Krahas 77 arkitektëve vendës, që firmosën për të garantuar restaurimin e godinës, në vesh të shurdhët ranë edhe thirrjet e personaliteteve të artit e kulturës. Me mospërfillje u trajtuan edhe 2 letrat e organizatave prestigjioze ndërkombëtare si “Europa Nostra” dhe “Docomomo International”, të cilat i kërkuan Kryeministrit Rama të heqë dorë nga shembja e godinës, duke e konsideruar si një shembull të shkëlqyer të arkitekturës moderne italiane e si të vetmen ndërtesë të këtij lloji në vendin tonë. Po të njëjtën këmbëngulje, Kryeministri Rama ka reflektuar edhe për sa i përket projektit të danezit Bjarke Ingels.
Ndërkohë që gara për projektin e teatrit të ri është e hapur deri në 19 shtator, në rrjetet sociale vërehet se Kryeministri lë pak hamendësime rreth arkitektit fitues e studios së projektimit. “Do të shkëlqejë nesër edhe Teatri i ri Kombëtar, i cili, përveçse do të jetë një gëzim nga brenda për çdo artist e artdashës, do të rrezatojë edhe nga jashtë, si një kryevepër e arkitekturës bashkëkohore, falë talentit të arkitektit të famshëm danez, Bjarke Ingels e të studios së tij prestigjioze ‘BIG’”, shprehej Rama, afro një muaj e gjysmë para përfundimit të konkursit.